Më 4 tetor 2026, Shkodra u bë sërish pikëtakimi i qindra sportistëve dhe të apasionuarve pas vrapimit, në edicionin e dytë të Shkodra Marathon.
Me nisje dhe përfundim në sheshin para Bashkisë Shkodër, aktiviteti mblodhi 550 pjesëmarrës nga Shqipëria dhe 20 shtete të ndryshme të botës, duke i dhënë garës një karakter të fortë kombëtar dhe ndërkombëtar.
Shkodra Marathon u organizua nga Shoqata Sportive e Atletikës “Atletikë-Vllaznia”, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Atletikës.
550 pjesëmarrës në tre distanca
Në edicionin e këtij viti, pjesëmarrësit garuan në distancat 2.5 km, 5 km dhe 10 km, me kategori të përshtatura për të rinjtë dhe të rriturit.
Nga fëmijët që përjetuan emocionet e garës së tyre të parë, te atletët profesionistë dhe vrapuesit që kishin ardhur në Shkodër nga vende të ndryshme të botës, aktiviteti krijoi një atmosferë sportive përgjatë gjithë qytetit.
Qëllimi i Shkodra Marathon mbetet promovimi i sportit, aktivitetit fizik dhe një jetese të shëndetshme, por njëkohësisht edhe promovimi i Shkodrës si një qytet me traditë të fortë sportive dhe me potencial për të pritur aktivitete të mëdha ndërkombëtare.
Fituesit e Shkodra Marathon 2026
Në garën 2.5 km, vajza 10–15 vjeç, vendin e parë e fitoi Enea Metolli nga Prishtina, e ndjekur nga Darsa Vathi dhe Oltea Zaimi, të dyja nga Fortius.
Në kategorinë 2.5 km, djem 10–15 vjeç, fitues ishte Elsar Balaj nga Vllaznia, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë u renditën Marin Shehaj dhe Dion Mulgeci nga Fortius.
Në kategorinë 2.5 km, vajza 16–18 vjeç, vendi i parë i takoi Ajla Dodës nga Tirana, ndërsa në vendin e dytë u rendit Selina Gashi nga Kosova.
Në kategorinë 2.5 km, djem 16–18 vjeç, fitoi Leonel Mesi nga Tirana, i ndjekur nga Dejan Balla i Vllaznisë dhe Olken Horanlli nga Durrësi.
Në garën 5 km për femra, podiumi u kryesua nga Gresa Bakraqi nga Kosova, përpara Kristina Purës dhe Elizabeta Markut nga Tirana.
Në 5 km për meshkuj, fitues ishte Bledar Mesi nga Tirana, ndërsa në vendin e dytë u rendit Oliver Hill nga Britania e Madhe dhe në të tretin Demir Medeni nga Turqia.
Gara kryesore e ditës, ajo e 10 km për femra, u fitua nga rekordmenia shqiptare Luiza Gega, e ndjekur nga Natalia Semenovych nga Ukraina dhe Sebahat Demir nga Turqia.
Në 10 km për meshkuj, vendin e parë e fitoi Bogdan Semenovych nga Ukraina, vendin e dytë Albion Ymeri nga Kosova, ndërsa podiumi u plotësua nga Rory Martin nga Australia.
Një ditë sportive për Shkodrën
Përtej rezultateve dhe podiumeve, Shkodra Marathon solli në qytet një ditë të mbushur me sport, energji dhe pjesëmarrje.
Prania e sportistëve nga 20 vende të ndryshme tregoi rritjen e aktivitetit dhe interesin që ai po krijon edhe jashtë Shqipërisë.
Përgjatë itinerareve të garës, qytetarë, familjarë dhe dashamirës të sportit mbështetën pjesëmarrësit, duke e kthyer aktivitetin në një festë sportive për qytetin.
Një rëndësi të veçantë pati edhe pjesëmarrja e të rinjve. Një nga objektivat kryesore të Shkodra Marathon është që gjithnjë e më shumë fëmijë dhe të rinj të afrohen me atletikën dhe aktivitetin fizik.
Faleminderit të gjithëve që u bënë pjesë
Realizimi i Shkodra Marathon 2026 u bë i mundur falë bashkëpunimit dhe kontributit të shumë institucioneve, organizatave dhe njerëzve.
Një falënderim i veçantë shkon për Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Atletikës për mbështetjen dhe bashkëpunimin në organizimin e aktivitetit.
Mirënjohje për Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, të cilat kontribuuan në sigurinë e pjesëmarrësve dhe mbarëvajtjen e garave përgjatë itinerarit.
Falënderojmë gjithashtu sponsorët dhe partnerët, mediat, gjyqtarët, trajnerët, stafin organizativ dhe në mënyrë të veçantë vullnetarët, të cilët me angazhimin e tyre kontribuuan në realizimin e aktivitetit.
Dhe mbi të gjitha, faleminderit çdo sportisti dhe çdo pjesëmarrësi që zgjodhi të vrapojë në Shkodër.
Nga 550 drejt 1,000 pjesëmarrësve
Me përfundimin e edicionit të dytë, Shkodra Marathon tashmë sheh drejt edicionit të tretë.
Objektivi i radhës është i qartë: të vazhdojë rritja e aktivitetit dhe të arrihet pjesëmarrja prej 1,000 vrapuesish, duke e konsoliduar Shkodra Marathon si një nga aktivitetet sportive më të rëndësishme të këtij lloji në Shqipëri dhe në rajon.
Edicioni i dytë u mbyll me sukses.
Tashmë, mendjen e kemi tek i treti.
ME VRAP N' SHKODËR